Sot ka vdekur një grua nga Prizreni, e cila ishte e infektuar me koronavirus, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media.
Klinika Infektive e QKUK-së ka njoftuar se sot më 14.06.2020, në këtë klinikë ka ndërruar jetë pacientja R.M. (1944) nga komuna e Prizrenit. Pacientja ishte në trajtim në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike dhe ishte e diagnostikuar me Covid-19 si dhe kishte edhe sëmundjeve të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim.
Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 33 pacientë, të cilët kanë qenë të diagnostikuar me Covid-19.
Kurse QKUK-ja përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 40 raste me Covid-19.
Gjendja e pacientëve të sëmurë me Covid-19 është si vijon;
27 raste janë në gjendje stabile.
12 raste janë duke u trajtuar në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.
Në repartin e Mjekimit Intensiv është duke u trajtuar një paciente në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar dhe përkujdesje intensive, përcjell Albinfo.ch.