Kroacia njoftoi të enjten për shërimin e një pacienti nga koronavirusi.
“Një i ri që është diagnostikuar me koronavirus më 26 shkurt, është lëshuar nga Klinika e Sëmundjeve Infektive ‘Dr Fran Mihajleviq’, në Zagreb”, tha në një konferencë për gazetarë ministri kroat i Shëndetësisë, Veli Berosh.
I riu doli negativ në dy teste të njëpasnjëshme për koronavirus dhe tani është në kujdes shtëpiak, tha ai, raporton Evropa e Lirë.
Autoritetet po ashtu njoftuan se në Kroaci janë shfaqur edhe pesë raste të reja me koronavirus dhe se të gjitha ato kanë lidhje me të sëmurët e mëparshëm, përcjell albinfo.ch.
Rrjedhimisht, numri total i të sëmurëve në Kroaci është 24.
Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?
Koronavirusi, i cili shkakton sëmundjen e identifikuar si COVID-19, besohet se e ka origjinën në Kinë.
Pas shfaqjes së rasteve të para atje në muajin dhjetor, edhe dhjetëra vende të botës kanë raportuar të tilla.
Në mesin e vendeve të goditura më së keqi në Evropë është Italia.
Nga vendet e Ballkanit, aktualisht vetëm Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë raste të regjistruara me koronavirus.
Sipas shifrave të fundit, mbi 4,600 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Në të gjithë botën, numri i të infektuarve ka arritur në mbi 126,000.
Numri i të shëruarve, ndërkaq, është mbi 68,300.