Gjatë 24 orëve të fundit në SHBA kanë vdekur afër 2000 (1909) veta si pasojë e Covid-19. Ky është numri më i madh i viktimave të regjistruara brenda një dite në gjithë botën që nga shpërthimi i krizës së koronavirusit, transmeton albinfo.ch lajmin nga mediat botërore.
Ky numër të vdekurish është më shumë se dyfish më i madh se ai i regjistruar në Itali, në kulmin e krizës, që ishte 940.
Njoftimin e ka bërë Universiteti Johns Hopkins.
Po ashtu në shtetin federal të Nju Jorkut, gjatë ditës që shkoi numri i vdekjeve nga koronavirusi ka arritur një kulm të radhës. Plot 730 veta kanë humbur jetën nga kjo sëmundje, ka bërë të ditur guvernatori i këtij shteti, Andrew Cuomo.
Vetëm një ditë më parë, Cuomo kishte deklaruar se kriza e koronavirusit kishte arritur kulmin e saj. Por ai nuk kishte dashur të zbuste masat e vendosura për të luftuar pandeminë.
SHBA tashmë është shndërruar në epiqendër të koronavirusit në botë, shkruan albinfo.ch. Në mbrëmjen e të martës autoritetet kanë publikuar numrin prej 400.000 të infektuarish dhe 13.000 të vdekurish. Vetëm në 24 orët e fundit, numri i viktimave ka qenë 1909.