Kampionati zviceran i futbollit do të vazhdojë. Në një takim të jashtëzakonshëm në Bernë, 20 klubet e Ligës së Futbollit Zviceran (SFL) kanë votuar për të rifilluar sezonin, shkruan srf.ch.
Kështu, Super League (superliga) do të fillojë ndeshjet më 20 qershor në stadiumet pa publik, ndërsa ndeshja e parë e Challenge League (liga e dytë, profesionale) është caktuar për të premten, 19 qershor, transmeton albinfo.ch.
Pas 23 ndeshjeve të luajtura deri më tani, nga gjithsej 36 sa i ka kampionati, FC St. Gallen kryeson tabelën e superligës, përpara YB dhe FC Basel.
Liga ka ndërprerë ndeshjet që nga fundi i shkurtit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kampionati i futbollit tashmë ka rifilluar në Gjermani dhe topi do të rrokulliset sërish edhe në ligat e tjera të futbollit evropian, përcjell albinfo.ch. Premier League angleze po planifikon të rifillojë më 17 qershor, ndërsa Seria A italiane do të rifillojë lojën më 20 qershor.