Zyrtarë të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian iu bashkuan kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis në një vizitë përgjatë lumit Evros, pasi një fluks migrantësh u përpoqën të hynin në Greqi nga Turqia.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, iu bashkuan kryeministrit Mitsotakis, transmeton ATSH.
Zyrtarët e BE-së, të cilët vizituan kufijtë e Greqisë, konfirmuan domosdoshmërinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut, si dhe shprehën besim në hapat që qeveria greke ka ndërmarrë për menaxhimin e krizës në kufirin greko-turk, përcjell albinfo.ch.
Gjatë deklaratave të bëra në prefekturën Evros, ata konfirmuan gjithashtu mbështetjen dhe solidaritetin me Greqinë.