Gjithnjë e më shumë të huaj po marrin email që duket se janë dërguar nga “Imigracioni Zviceran”, shkruan Sekretariati Shtetëror i Migracionit (SEM) në faqen e tij të internetit, transmeton albinfo.ch.
Në shumicën e rasteve, ofrohet një punë fiktive në sektorin e hotelerisë, e ndjekur nga e-mail mashtrues që vijnë nga swissimmigration@consultant.com, Swissimmigration.center@gmx.com, Suisse-immigration@protonmail.ch dhe eu_immigration@swissmail.com.
Dërguesit kërkojnë pagesa nga 300 deri në 1.000 euro për një leje pune në Zvicër dhe për sigurimin shëndetësor dhe atë nga aksidentet. Këto e-mail nuk vijnë nga SEM, thonë autoritetet, dhe duhet të konsiderohen si një përpjekje për të zhvatur para, prandaj duhet të injorohen.