Në Zvicër mungojnë 2000 mjekë të mjekësisë familjare. Ky është konstatimi që ka bërë Federate e Mjekëve të Zvicrës, FMH.
Kështu, siç shkruan gazeta “Schweiz am Sonntag”, FMH alarmon se janë 19 kantone të cilat qysh tash kanë mungesë të mjekëve “shtëpiakë”.
Situata veçanërisht akute në këtë drejtim, sipas gazetës, paraqitet në kantonet si Uri, Friburg, Nidwalden dhe Appenzell Innerhoden. Siç thekson më tutje gazeta në këto kantone një mjek duhet të punojë afërisht për 2000 pacientë në mesatare, transmeton albinfo.ch. Ndërsa, për të mbuluar shërbimin bazë mjekësor nevojitet që një mjek shtëpiak të ketë mesatarisht jo më shumë se 1000 pacientë.
Shkaktar për një mungesë të tillë të mjekëve është mungesa e kuadrove të reja që do të dilnin nga fakultetet e këtushme të mjekësisë. Edhe pse pothuajse gjysma e studentëve të mjekësisë zgjedhin të specializojnë njërën nga fushat që mbulojnë edhe mjekësinë familjare, si mjekësia e përgjithshme, ajo interne ose pediatria, vetëm rreth 20 për qind të tyre edhe punojnë në të ardhmen si mjekë familjarë.
Pastaj, shumë nga ta nuk janë të gatshëm të punojnë me orar të plotë apo edhe ditëve të festave dhe gjatë natës.
Ndërsa situatën pritet ta ashpërsojë edhe më shumë fakti se sot në gjithë Zvicrën 2200 mjekë kanë arritur moshën mbi 60 vjeçare. Me pensionimin e tyre që pritet shpejt, bëhet edhe më akute nevoja për mjekë.