Frangu i fortë është duke u shkaktuar telashe hotelierëve të Zvicrës. Rënie të madhe ka shënuar qarkullimi në këtë fushë veçanërisht gjatë muajve qershor-gusht. Gjatë kësaj kohe bujtjet nëpër hotele kanë rënë për 2.7% krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të kaluar.
Rënie më të madhe ka shënuar numri i bujtjeve nga turistët e Britanisë së madhe, plot 10.3% dhe i atyre nga shtetet e Bashkimit Evropian minus 9.1%.
Arsye për këtë është se për shtetasit e këtyre vendeve Zvicra është bërë tepër e shtrenjtë. Por nga ana tjetër, mungesa e turistëve nga regjionet e përmendura është kompensuar me shtimin prej rreth 25% të mysafirëve nga vendet si Brazili, Rusia, India dhe Kina.
Hotelierët e Zvicrës shikojnë me skepticizëm edhe sezonin dimëror të turizmit që pp afrohet. Ata vlerësojnë se, për shkaqe të njëjta, shumë shtretër të hoteleve do të mbeten të zbrazëta.