Qeveria zvicerane dëshiron të motivojë gratë e reja të bashkohen me ushtrinë, përcjell albinfo.ch.
Në të ardhmen, gratë e reja në Zvicër do të duhet të marrin pjesë në një ditë orientimi për ushtrinë dhe mbrojtjen civile, njësoj si burrat.
Qëllimi është të rritet numri i grave që zgjedhin shërbimin vullnetar ushtarak.
Ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister, njoftoi planet gjatë një konference për media në Bernë.
Ai theksoi se ushtria zvicerane po forcohet, me mbështetje politike më të gjerë se në vitet e fundit.
Megjithatë, përveç pajisjeve, ushtrisë i duhen edhe njerëz. Ministria e Mbrojtjes paralajmëron se numri aktual i personelit mund të mos mjaftojë për të plotësuar nevojat e ardhshme.