Nevoja për kursim, ka shtyrë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës që të bëjë reduktimin e rrjetit të saj jashtë vendit.
Në fokus të këtyre reduktimeve është integrimi i filialeve të jashtme të DEZA-s (Drejtoria për Zhvillim dhe Bashkëpunim) në kuadrin e ambasadave në vendet përkatëse.
“Qëllim i kësaj reforme është që të sigurohet që të ketë vetëm një përfaqësi unike të Zvicrës në akëcilin vend” , ka thënë për emisionin e SRF “Tagesschau”, në mbrëmjen e të martës, sekretari shtetëror i ministrisë së jashtme, Yves Rossier.
Përfaqësitë e ndryshme brenda një shteti shpesh nuk janë koordinuar dhe madje kanë ndjekur edhe interesa të kundërt njëra me tjetrën.
Siç merr vesh “Tagesschau”, 40 nga gjithsej 50 filialet e DEZA-s do të integrohen brenda ambasadave përkatëse. Veç kësaj, do të mbyllen edhe konsullatat në vende të ndryshme të botës.
Proesi i reduktimeve tashmë është duke u zbatuar. Në kuadrin e tij, nga viti 2012 deri në vitin 2014 pritet të mbyllen 15 konsullata. Ndërsa minsitri i jashtem, Burkhalter nuk e përjashton edhe mundësinë e mbylljes së ambasadave, në varësi nga nevoja për to.