Qeveria zvicerane ka reaguar për herë të parë ndaj deklaratave të ish-presidentit amerikan Donald Trump lidhur me marrjen e kontrollit mbi Groenlandën, duke bërë të ditur qëndrimin e saj zyrtar pas një periudhe heshtjeje, përcjell albinfo.ch.
Ministria Federale e Punëve të Jashtme e Zvicrës ka theksuar se qëndrimi i vendit është i qartë dhe i bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Sipas saj, Groenlanda i përket Danimarkës dhe gëzon autonomi të gjerë.
“Çdo ndryshim i këtij statusi kërkon pëlqimin si të Danimarkës ashtu edhe të Groenlandës,” thuhet në deklaratën e Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme.
Në reagim po ashtu nënvizohet se rregullat e Kartës së Kombeve të Bashkuara zbatohen në mbarë botën, përfshirë ndalimin e përdorimit të forcës dhe ndalimin e ndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera.
Ky qëndrim i Bernës vjen në kohën e debateve ndërkombëtare lidhur me deklaratat e Donald Trump për Groenlandën, të cilat kanë nxitur reagime të shumta nga komuniteti ndërkombëtar. /Albinfo.ch