Këshilli Federal i Zvicrës reagon ashpër kundër dënimit me rrahje me kamxhik në Arabinë Saudite. Qeveria zvicerane i referohet konkretisht zbatimit të dënimit të një aktivisti saudit për të drejtat e njeriut me 50 goditje me kërbaç. Ai në të vërtetë, për “fyerje të islamit” është dënuar me 1000 goditje me kamxhik, të ndara në 20 pjesë. Sot, e premte, ka qenë radha e zbatimit të serisë së dytë të kamxhikosjes, gjegjësisht 50 goditjet. Seria e parë ka qenë të premten e kaluar.
Badawi, siç quhet i dënuari, mbahet në burg nga viti 2012
Arabia Saudite duhet të ndërpresë një dënim të tillë dhe ta rishqyrtojë edhe njëherë rastin, thuhet më tutje në kërkesën e Qeverisë së Zvicrës. Një dënim i tillë shkel, veç tjerash edhe Konventën kundër Torturës, të ratifikuar edhe nga Arabia Saudite.
Para Zvicrës, dënimin me goditje me kamxhik para publikut e ka dënuar si të papranueshëm edhe Bashkimi Evropian.