Në vitin 2024, në rrugët kombëtare të Zvicrës janë regjistruar mbi 55,500 orë bllokime trafiku, duke shënuar një rritje prej gati 14% krahasuar me një vit më parë. Këto të dhëna u publikuan nga Zyra Federale për Rrugët (Astra), e cila njoftoi se shkaku kryesor i kësaj situate mbetet trafiku i rënduar, ndërsa vetëm 4% e bllokimeve vijnë nga punimet rrugore.
Megjithëse rrugët kombëtare përbëjnë vetëm 4% të gjithë rrjetit rrugor në vend, ato përballojnë mbi 40% të volumit të qarkullimit, me 29.8 miliardë kilometra të përshkuara nga automjetet në vitin që lamë pas, transmeton albinfo.ch.
Astra thekson se rritja e bllokimeve është një sinjal i qartë se rrjeti rrugor po arrin kufijtë e kapacitetit të tij. Për këtë arsye, po ndërmerren masa të reja për menaxhimin e trafikut dhe mirëmbajtjen afatgjatë të rrjetit rrugor.
Ndërkohë, ETH Cyrih është duke analizuar projektet e ardhshme të zgjerimit të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Rezultatet priten në tremujorin e tretë të këtij viti dhe pritet të ndikojnë në vendimmarrjen për politikat e transportit në të ardhmen.