Kombëtarja e Zvicrës ka përmirësuar pozicionin e saj në renditjen më të fundit të FIFA-s, duke u ngjitur me dy vende dhe duke zënë tani vendin e 17-të në botë, transmeton albinfo.ch.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Murat Yakin arriti këtë ngritje pas fitoreve të rëndësishme ndaj Kosovës dhe Sllovenisë në fillim të fushatës kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Këto rezultate i kanë ndihmuar zviceranët të tejkalojnë kombëtaret e Senegalit dhe Japonisë në renditje.
Brenda Evropës, Zvicra mbetet në vendin e 10-të mes kombëtareve më të mira të kontinentit.
Në krye të renditjes ka pasur gjithashtu ndryshime: Spanja është ngjitur në vendin e parë për herë të parë që nga qershori i vitit 2014, duke zëvendësuar Argjentinën, kampionen aktuale të botës, e cila e mbante vendin e parë që nga prilli 2023.
Ndërkohë, Gjermania ka pësuar një rënie, duke zbritur nga vendi i 9-të në të 12-tin.