Ministria e Financave e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë zvicerane, e cila do të financojë me 2.2 milionë euro fazën e dytë të projektit për Përmirësimin të Raportimit Financiar të Shoqërive Tregate.
Siç bëjnë të ditur mediat në Tiranë, projekti në fjalë synon rritjen e transparencës së treguesve financiarë dhe bilanceve të shoqërive tregtare në vend, kjo edhe në kuadër të luftës kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.
Përmirësimi i raportimit financiar është konsideruar si një nga elementet më të rëndësishme në luftën kundër informalitetit, duke dhënë një pamje më të saktë të pasqyrave financiare të biznesit, mbi bazën e të cilave llogariten detyrimet fiskale.
Marrëveshja për projektin që mbështetet edhe nga Banka Botërore u nënshkrua në Ministrinë e Financave.