Njoftimi i Austrisë se do ta caktojë «plafonin» (kufirin e epërm) për numrin e azilkërkuesve që do t`i strehojë, ka shkaktuar shqetësim edhe në Zvicër. Kështu shkruajnë sot gazetat «Zentralschweiz am Sonntag» dhe «NZZ am Sonntag».
Sipas tyre, në rast se edhe vendet tjera të BE-së ndjekin shembullin e Austrisë dhe nga ana tjetër BE nuk ia del t`i mbrojë kufijtë e jashtëm, duhet të reagojë edhe Zvicra. Gazeta «Zentralschweiz am Sonntag» citon deputetin nacional të CVP/PDC-së nga Kantoni i Zug-ut Gerhard Pfister të ketë thënë se duhet vendosur kufirin e epërm, një shifër të caktuar të azilkërkuesve që nuk guxon të tejkalohet. Sipas tij ky kufi ose «plafon» duhet të jetë rreth shifrës 25 mijë.
Po kështu edhe deputeti i SVP/UDC-së nga Kantoni Schwyz Peter Föhn dhe deputeti i FDP/PLR-së nga kantoni Solothurn Kurt Fluri janë në favor të caktimit të një plafoni të tillë.
Ndërsa deputeti nga SVP/UDC, Heinz Brand ka thënë për «NZZ am Sonntag» se «Zvicra duhet të ndërmarë një pako masash për uljen e atraktivtetit të saj si vend për azil. Në këto masa ai ka menduar kontrollimin sistematik të kufijve, procedurat e shpejta të azilit dhe zbatimi konsekuent i dëbimeve të azilkërkuesve.