Kombëtarja e Zvicrës ka fituar mbrëmë në Lugano ndeshjen kundër Moldavisë me rezultat 2:1. Ishte kjo ndeshja e fundit para fillimit të Evropianit, ku përfaqësuesja zvicerane ndeshjen e parë do ta ketë me Shqipërinë, më 11 qershor.
Kjo ka qenë njëherësh fitorja e parë që ka realizuar Zvicra nga fillimi i këtij viti.
Goli i parë për Zvicrën ka qenë në fakt autogol që ka shënuar Namasco i Moldavisë. Golin e dytë për Nati-n e ka shënjuar Admir Mehmedi në minutën e 75-të, ndërsa pak para tij, Ginsari kishte shënuar për Moldavinë.
Në këtë ndeshje kanë luajtur shumë mirë dhe janë dalluar të gjithë shqiptarët e Nati-t që janë inkuadruar në lojë. Behrami, Xhaka, Shaqiri dhe Xhemajli kanë luajtur nga fillimi ndërsa Mehmedi dhe Tarashaj janë inkuadruar më vonë.
Fitorja e Zvicrës, ndonëse e merituar, nuk mund të quhet e shkëlqyer, vlerësojnë mediat zvicerane. Për këtë flet veç tjerash fakti se Moldavia është në vendin e 159-të në ranglistën botërore të futbollit.