Departamenti i Punëve të Jashtme i Zvicrës (Ministria e Jashtme) planifikon ngritjen e një “Klubi të ambasadorëve të imazhit”, të përbërë nga personalitete zvicerane të njohura në botë.
Prominentët zviceranë në këtë mënyrë do të ndihmonin në përmirësimin e imazhit të vendit të tyre në botë, kanë deklaruar përgjegjësit nga ky departament për radion SRF.
Emra të popullarizuar zviceranë nga fusha e sportit, kulturës dhe shkencës, sipas këtij propozimi, do të merrnin pjesë në aktivitetet zyrtare të Zvicrës jashtë vendit dhe në këtë mënyrë do t`ua jepnin aktiviteteve përkatëse profilin personal të tyre.
Agjencia për imazh e Departamentit të Punëve të Jashtme “Präsenz Schweiz” është duke punuar në një ofertë rreth kësaj ideje, për t`ia dorëzuar pastaj ministrit të jashtëm, Burkhalter.
Agjencia në fjalë, në kuadër të kësaj oferte do të bëjë edhe propozimin e personave që do të bëheshin pjesë e këtij klubi.