Ministri i Jashtëm i Zvicrës, Didier Burkhalter i ka konfirmuar homologut të tij kosovar, Hashim Thaçit, mbështetjen e gjithmbarshme zvicerane për Kosovën, duke përfshirë edhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).
Kjo mbështetje helvetike, siç thuhet në një komunikatë për media lëshuar nga MPJ e Kosovës, është konfirmuar gjatë një takimi që zëvendëskryeministri njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi në Nju Jork me ministrin Burkhalter.
Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri Burkhalter diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë, bashkëpunimin bilateral dhe për procesin e liberalizimit të vizave.
Ndryshe, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO në mes të këtij viti, ndërsa 47 shtete kanë bashkësponsorizuar kërkesën për anëtarësimin e Kosovës nga ana e Bordit Ekzekutiv të kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara. Anëtarësimi në UNESCO po kundërshtohet nga Serbia dhe aleatët e saj.