Zvicra ka bllokuar pasuritë e despotëve afrikanë të veriut, në vlerë prej 830 milionë frangash. Këtë shifër e ka përmendur presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey në suaza të konferencës së ambasadorëve zviceranë në Tunis.
Sipas saj, shumica e mjeteve të bllokuara, rreth gjysma, janë nga klani i ish presidentit egjiptian Mubarak, gjithsej 410 milionë franga. Nga Libia janë bllokuar 360 milionë franga, njoftojnë mediet zvicerane.
Ndërkaq, më pak mjete se sa ishte menduar, janë bllokuar nga rrethi i ish pushtetarëve të Tunizisë, ish presidentit të atjeshëm Ben Ali, gjithsej 60 milionë franga.
Calmy-Rey ka biseduar me ambasadorët zviceranë lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm të Zvicrës me vendet e Afrikës së veriut që gjenden në tranzicion.