Zvicra do të paguajë 1 miliard e 300 milionë frangash në emrin e ndihmës për shtetet e reja të BE-së në Evropën Lindore ose ndryshe, për “Fondin e Kohezionit”, shkruajnë mediet zvicerane. Kështu janë marrë vesh kryekomisioneri i BE-së, Jean-Claud Juncker dhe presidentja e Federatës së Zvicrës, Doris Leuthard në takimin që, bashkë me delegacionet përkatëse kanë pasur sot në Bernë.
Janë planifikuar dy kredite në këtë kontekst. Njëri, me vëllim prej 1 miliard e 100 milionë frangash është paraparë për projektet e arsimit profesional në shtetet e përmendura, transmeton albinfo.ch. Ndërsa pjesa tjetër, prej 200 milionë frangash i është kushtuar sferës së migracionit dhe është në dispozicion të të gjitha shteteve të BE-së.
Marrëveshja kornizë duhet të negociohet përfundimisht deri në pranverën e vitit 2018, ndërsa kryemokmisioneri i BE-së e quan atë “Marrëveshje e Miqësisë”.
Në takimet e sotme janë përafruar qëndrimet edhe në disa dosje “të vogla”.