Qeveria ka rënë dakord të marrë rreth 230 njerëz nga Afganistani, por nuk ka plane për tani për të pranuar grupe më të mëdha refugjatësh.
Ministrja e Drejtësisë, Karin Keller-Sutter tha se ajo i kuptonte shqetësimet e shumë afganëve për kontrollin e talebanëve. Por, ajo hodhi poshtë akuzat se politika e qeverisë shkon kundër traditës humanitare të Zvicrës, përcjell albinfo.ch
“Ne duhet të jemi realistë,” tha Keller-Sutter në një konferencë shtypi të mërkurën.
“Sigurimi i ndihmës në terren dhe sigurimi i evakuimit të shtetasve zviceranë dhe punonjësve lokalë të agjencisë zvicerane të zhvillimit marrin përparësi për qeverinë.”
Ajo tha se situata e sigurisë në Afganistan ishte e pasigurt dhe as agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) nuk ishte ende në gjendje të vlerësonte nevojat e një programi të mundshëm zhvendosjeje. Keller-Sutter tha se qeveria zvicerane do të shqyrtonte kërkesat shtesë për azil rast pas rasti dhe ajo nuk përjashtoi miratimin e një kontigjenti më të madh refugjatësh në një fazë të mëvonshme, përcjell tutje albinfo.ch