Në kuadrin e programit mbështetës për Ukrainën, Zvicra duhet të mbështesë atë me të paktën pesë miliardë franga.
Kështu kërkon Komisioni i Jashtëm i Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës. Komisioni paraqiti një mocion për këtë, i cili u votua me 13 vota pro dhe 11 kundër, transmeton albinfo.ch.
Këshilli Federal ka për detyrë të paraqesë në Parlament një program përkatës mbështetës për Ukrainën.
Shumica e Komisionit konsideron se Ukraina ka nevojë për mbështetje të konsiderueshme financiare, shkruan srf.ch. Ndër të tjera, kjo mbështetje mendohet të shkojë për ndihmën humanitare, mbrojtjen e popullatës civile dhe pastrimin e minave.
Pakica në komision beson se shumë çështje që kanë të bëjnë me rindërtimin e Ukrainës dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë drejtim duhet ende të sqarohen.
Më parë, komisioni kishte diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë, veçanërisht në sferën humanitare dhe të sigurisë.