Zvicra do t’i bashkohet sërish disa programeve të rëndësishme të Bashkimit Evropian pas arritjes së një marrëveshjeje me Brukselin, transmeton albinfo.ch.
Pas votimit të vitit 2014 që kërkonte kufizimin e imigracionit – në kundërshtim me parimin e Lirisë së Lëvizjes së BE-së – Zvicra ishte pezulluar nga programet si Erasmus, që lehtëson shkëmbimin e studentëve, dhe Horizon, partneriteti shkencor më i madh evropian.
Marrëveshja e re përfshin gjithashtu pjesëmarrjen e Zvicrës në grupin për energjinë atomike, Euratom, në projektin ndërkombëtar për reaktorin eksperimental të shkrirjes ITAR, si dhe në programet Digital Europe dhe EU4Health.
Si pjesë e marrëveshjes, Zvicra do të kontribuojë financiarisht në fondet e BE-së.
Anëtarësimi i plotë në këto programe pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.