Projekti “Arsimi për punësim në Maqedoni” do mbështetet financiarisht nga Zvicra për dhjetë vjet. Ky projekt do të fillojë këtë vit me qëllim rritjen e nivelit të punësimit në vend, informon albinfo.ch.
Zbatimi i projektit ishte një nga temat kryesore të diskutimit në takimin e sotëm midis Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe zv. ambasadorit të Zvicrës në Republikën e Maqedonisë, Stefan Tomadzhan. Ata diskutuan për zbatimin dhe efektet e pritshme të projektit, të cilat do të zbatohen në faza, ndërsa faza e parë do të zgjasë deri në vitin 2022, njofton Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Projekti do të zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation, Qendra e Maqedonisë për Edukimin Qytetar dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe me këtë do të përfshihen të rinjtë e papunë dhe personat e papunë të moshës deri 29 vjeç, studentët e arsimit të lartë dhe aftësimit profesional, me kujdes për përfshirja e grave, romëve dhe personave me aftësi të veçanta.
Gjatë takimit, Ademi ka falënderuar Zvicrën për mbështetjen e saj të deritanishme, duke shprehur kënaqësi të madhe që kjo mbështetje vazhdon në periudhën e ardhshme dhe që zgjerohet pikërisht përmes zbatimit të projekteve të këtij lloji. Në anën tjetër zv.ambasadori zviceran, Tomaxhan e ka uruar Ademin me rastin e marrjes së funksionit ministër dhe i ka konfirmuar qëllimet e sinqerta të Zvicrës për të ndihmuar vendin në përpjekjet e për të ndërtuar një sistem arsimor më të mirë dhe më cilësor, si dhe në përpjekjet për të reduktuar papunësinë, veçanërisht në mesin e popullsisë së re.