Diaspora kosovare vazhdon të luaj një rol vendimtar në ngritjen e mirëqenies sociale dhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Brenda një viti, afër 600 milionë euro është shuma që mërgimtarët kosovarë çojnë në vendlindje, ndërsa pjesa më e madhe e remitencave vjen nga Zvicra dhe Gjermania. Këto të dhëna dolën të martën në një tryezë me temën”Roli i diasporës kosovare në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, i organizuar nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, në partneritet me Institutin për Hulumtime Zhvillimore-Riinvest. Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se efektet e mërgimtarëve nuk janë vetëm sjellja e kapitalit në Kosovë, por e rëndësishme, sipas tij, është edhe përvoja, standardet dhe metodologjia e punës në vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Ai, gjithashtu, ka potencuar se investitorët e huaj njësi matëse e konsiderojnë investimin e mërgimtarëve në vendin e origjinës.
Ndërsa sipas të dhënave të Institutit Riinvest-it remitancat gjatë viteve kanë ndryshuar, por që lakorja ka shkuar vetëm përpjetë. “Në vitin 2004 janë regjistruar 357 milopnë euro remitenca; në vitin 2005-418 milionë; 2006-467 milionë; 2007-515 milionë; 2008-535 milionë; 2009-585 milionë; 2010-584 milionë dhe 2011-584 milionë euro”, thuhet në raportin e institutit Riinvest. (Shkrimin me gjerësisht me të gjitha detajet mund ta lexoni të mërkurën në albinfo.ch)