Me qëllimin për t`iu përshtatur kursit të ndërrimit të euros, nga 1 nëntori i këtij viti në Zvicër do të zbriten për mesatarisht 8 për qind, çmimet e 555 medikamenteve të ndryshme.
Përshtatja bëhet sepse në vitin 2008, çmimet e barnave ishin llogaritur duke u mbështetur në kursin e atëhershëm të euros që ishte në mes të 1.45 dhe 1.50 franga.
Me të renë, do të merret për bazë kursi 1 frang e 30 për një euro, ka thënë një zëdhënëse e Zyrës federale për Shëndetësi, duke konfirmuar një shkrim të gazetës “Le Temps”.
Në kohën kur një euro kushton 1.16 franga, llogaritja e euros 1.30 franga vazhdon të jetë në interes të prodhuesve të barnave, thotë BAG.