Janë fare të pakët personat e vaksinuar dy herë që kanë vdekur nga një infeksion korona në spitalet zvicerane që nga fillimi i vitit. Ky ishte rezultat i një vlerësimi të sistemit të monitorimit të Covid-19 të Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG).
Nga fillimi i vaksinimit, në dhjetorin e vitit 2020 dhe deri në fund të gushtit të këtij viti, në sistemin e raportimit janë regjistruar 495 vdekje të lidhura me Covid-19, transmeton albinfo.ch. Në këtë sistem marrin pjesë 20 spitale zvicerane.
Deri më tani, përqindja dukshëm më e madhe e vdekjeve është regjistruar te personat e pavaksinuar. Pra 437 nga 495 të vdekurit kanë qenë të pavaksinuar që korrespondon me rreth 88 për qind.
Në këto shifra hyjnë: një person midis moshës 20 dhe 29 vjeç, dy midis 30 dhe 39 dhe pesë midis moshës 40 dhe 49 vjeç. Rreth një e treta e personave të vdekur që nuk ishin të vaksinuar ishin mbi 70 vjeç.
Vetëm 14 nga 495 të vdekurit ishin dy herë të vaksinuar: pesë prej tyre ishin mbi 80 vjeç, pesë midis 70 dhe 79 dhe katër midis 60 dhe 69.
Ndërsa 44 nga viktimat ishin vaksinuar një herë (8.8 përqind).