Blerja e aeroplanëve të rinj luftarakë gëzon prioiritet të lartë në institucionet zvicerane. Kështu, komisioni për politikën e sigurisë në Dhomën e kantoneve të Parlamentit Nacional të Zvicrës mund të marrë në konsideratë edhe shitjen e patundshmërive të caktuara për të siguruar mjetet për blerjen e aeroplanëve.
Bëhet fjalë për shitjen e patundshmërive që janë në pronësi të Departamentit të mbrojtjes, njofton shërbimi për informim i parlamentit, përmes një komunikate, siç transmetojnë mediet zvicerane.
Për këtë arsye komisioni në fjalë do t`i dorëzojë Qeverisë së vendit një listë me patundshmëritë që mund të jenë në dispozicion për tu shitur si dhe shumën që vlerësohet se do të fitohet prej tyre.
Në mesin e pasurive që mund të vihen në shitje janë veç tjerash edhe aeroportet dhe trojet që disponon departamenti nëpër aglomeracione.
Fitimet nga shitja e patundshmërive të Departamentit të Mbrojtjes, deri më tash zakonisht janë derdhur në arkën e përbashkët federale.