Dega e komunës Rapperswil-Jona e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës ka bojkotuar takimin e paralajmëruar për të hënën në mes të partive të qytetit. Kryetari i degës së kësaj partie në qytetin e përmendur të kantonit ST.Gallen, Hanspeter Raetzo nuk dëshiron të ulet më në të njëjtën tavolinë me SVP-UDC-në.
Ai është i dëshpëruar me afishen që ka publikuar partia në fjalë, në të cilën shkruan: “Kosovari ther zviceranin”, shkruan gazeta “Südostschweiz”.
Raetzo, të shtunën që shkoi, ka kërkuar nga SVP-UDC e qytetit që të distancohet nga afishja me këtë përmbajtje. Përndryshe, socialdemokratët do të qëndrojnë larg nga bisedimet ndërpartiake, ka deklaruar ai. Por SVP-UDC, nga ana e saj nuk e sheh as në ëndërr që të plotësojë këtë kusht.
Bisedimet ndërpartiake ose mbledhjet e kodeksit zgjedhor mbahen për të evituar ndonjë konflikt në mes të partive, i tillë çfarë ishte ai që ndodhi në pranverën e këtij viti, në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të qytetit. Tas sërish, që në mbledhjen e parë rreth zgjedhjeve po paraqitet problemi i radhës.