Policia federale e Zvicrës (Fedpol) ka ndaluar përdorimin e ngjyrës së lëkurës si kriter identifikimi në sistemin kombëtar të hetimeve RIPOL, i cili përmban të dhëna për personat e zhdukur, të kërkuar, të deportuar apo të rrezikshëm, përcjell albinfo.ch.
Vendimi vjen në një kontekst të ndjeshëm shoqëror, pas akuzave për racizëm brenda disa strukturave policore zvicerane – përfshirë raste të diskutuara së fundmi në Lozanë.
Sipas Fedpol, është koha që kjo praktikë të rishqyrtohet, duke synuar shmangien e stereotipeve dhe diskriminimit në raportet zyrtare. Por, jo të gjitha kantonet janë dakord me këtë direktivë.
Cyrihu dhe Bazeli refuzojnë ndalimin
Policia kantonale e Cyrihut e ka kundërshtuar hapur vendimin e Fedpol. Mario Fehr, Këshilltar Shtetëror për Sigurinë, deklaroi se “ngjyra e lëkurës është një element i rëndësishëm për identifikim”, dhe ndalimi është “i padobishëm” dhe “politikisht i motivuar”.
Edhe policia kantonale e Bazelit ka konfirmuar se do të vazhdojë të përfshijë ngjyrën e lëkurës në përshkrimet e personave në sistemin e tyre të raportimit.
Një vendim që ngre debat publik
Kjo masë ka nxitur debat publik mes atyre që e shohin si një hap drejt barazisë dhe shmangies së diskriminimit racor, dhe atyre që argumentojnë se përshkrimet fizike të plota janë të nevojshme për hetime efektive.
Çështja pritet të diskutohet edhe më tej në nivelet politike dhe institucionale të Zvicrës, teksa vendi përpiqet të balancojë respektimin e të drejtave të njeriut me efikasitetin e zbatimit të ligjit.