Në Zvicër, tradicionalisht termi “Röstigraben” që shënjon hendekun ose ndarjen në mes të Zvicrës gjermane dhe asaj frankofone është pjesë integrale e peizazhit politik, shkruan srf.ch. Ndërsa tani, pas javës së parë të sesionit vjeshtor të parlamentit, po shfaqet një përçarje e re politike.
Fjala tani është për “hendekun e maskave” të shkaktuar nga koronavirusi, transmeton albinfo.ch. Kjo shpjegohet me ekzistimin e mendimeve të ndara midis parlamentarëve për të mbajtur apo jo maskën në mbledhjet e tyre në Pallatin Federal.
Deputetët këshillohen të mbajnë maskën në rastet kur nuk mund të ruhet distanca e nevojshme. Por tashmë vihet re se gjysma e djathtë e parlamentit shpesh nuk mban maskë, përcjell albinfo.ch. Ndërsa parlamentarët në anën e majtë të kuvendit shihen shumë më shpesh me maska të vendosura në fytyrë.
Veç maskave, risi e këtij sesioni parlamentar është vendosja e ndarjeve prej qelqi të vendosura në mes të ulëseve (plexiglas) që duhet të sigurojnë mbrojtjen e deputetëve gjegjësisht mbajtjen e distancës mes vete.