Italia ka në plan të injektojë gjysmë milioni (500.000) doza vaksine në ditë deri në fund të prillit.
Në javën e fundit të prillit do të shihet kjo, ka thënë komisioneri i jashtëzakonshëm për urgjencën e koronës, Francesco Figliuolo, në një intervistë për gazetën “Corriere della Sera”.
Gjatë prillit pritet të ketë furnizime të vazhdueshme me vaksina, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.
Nëse objektivi i gjysmë milionë vaksinave në ditë do të arrihej deri në fund të muajit, fushata e vaksinimit mund të përfundojë në shtator, ka thënë Figliulo, i cili është gjeneral i ushtrisë italiane.
Italia gjithashtu planifikon të përfshijë kompani të ndryshme në planin e vaksinimit. Sipas Figliuolo, tashmë janë numëruar 420 njësi prodhimi që duan të bëhen pjesë e fushatës. Shumë kompani duan të imunizojnë punëtorët e tyre.
Kjo duhet të fillojë në fund të majit, ka thënë veç tjerash komisioneri i jashtëzakonshëm për urgjencën e koronës, Francesco Figliuolo.