Një zjarr i madh shpërtheu të premten në mëngjes në qytetin e Lucernës, duke përfshirë plotësisht një shtëpi në Baselstrasse. Pamje dhe video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë tym të dendur mbi çatitë e zonës, ndërsa autoritetet reaguan menjëherë, përcjell albinfo.ch.
Sipas dëshmitarëve okularë, zjarri u vu re rreth orës 9:10, kur u dëgjuan sirenat e shërbimeve emergjente. Një banore e zonës tregoi se pasi dëgjoi sirenat, doli në ballkon dhe pa se ndërtesa ishte në flakë.
Policia kantonale e Lucernës konfirmoi ndërhyrjen. Zëdhënësi i saj, Christian Bertschi, bëri të ditur se njoftimi për zjarrin në Baselstrasse ishte marrë rreth orës 9:05. Zjarrfikësit mbërritën shpejt në vendngjarje dhe konstatuan se shtëpia ishte në flakë të plotë.
Sipas Thomas Lang, oficer mediatik i zjarrfikësve, tre persona u evakuuan nga objekti i përfshirë nga zjarri. Ata nuk pësuan lëndime dhe gjendja e tyre shëndetësore u verifikua nga mjekët në vendngjarje.
Në një njoftim për media të publikuar pasdite, zjarrfikësit bënë të ditur se bëhej fjalë për një zjarr masiv banese, i cili u përhap edhe në papafingo. Për këtë arsye u aktivizua një operacion i madh emergjent, ku morën pjesë rreth 100 forca ndërhyrëse.
Falë reagimit të shpejtë, zjarri u vu nën kontroll brenda një kohe të shkurtër. Për të lokalizuar dhe shuar vatrat e fshehura të zjarrit, u përdor edhe një dron zjarrfikës me kamerë termike, i cili ndihmoi në shuarjen e plotë të flakëve. /Albinfo.ch