FC Yverdon Women – KFF Prishtina: miqësia dhe futbolli bashkojnë Zvicrën me Kosovën
Të premten, më 20 qershor, nga ora 19:30, në stadiumin e Yverdon-les-Bains u zhvillua një ndeshje miqësore futbolli ndërmjet ekipit vendas FC Yverdon Women dhe ekipit nga Kosova, KFF Prishtina, shkruan albinfo.ch.
Në një atmosferë sportive dhe miqësore, KFF Prishtina doli fituese me rezultat 2-1 ndaj ekipit zviceran.
Përveç karakterit sportiv, ndeshja u shënua nga etikë loje dhe respekt të ndërsjellë, duke dëshmuar vlerat që ndajnë të dy ekipet: dashamirësinë, solidaritetin dhe pasionin për futbollin.
I pranishëm në këtë ndeshje ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili e mbështeti këtë iniciativë në emër të qytetit që përfaqëson.
Gjithashtu, në tribunat e stadiumit ishte i pranishëm edhe CEO i Grupit Orllati, z. Avni Orllati, i cili me praninë dhe përkrahjen e tij theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve kulturore dhe sportive ndërmjet diasporës dhe Kosovës.
Vlen të theksohet se sponsori i kësaj ndeshjeje ishte Grupi Orllati./ albinfo.ch.








