Një ndërtesë dykatëshe është bartur të premten, duke ndërruar vendin për 33 metra më tutje për t`i lënë vend një stacioni nëntokësor që do të përurohet në viti 2017.
Godina e zhvendosur është një stacion hekurudhor lokal i ndërtuar në vitin 1887, në paralagjen e Gjenevës Chêne-Bourg.
Ndërtesa e transportuar peshon 710 tonë, ka dy kate, është e gjatë 17 dhe e gjerë 9 metra.
Për bartjen e stacionit janë ndërtuar shina speciale ndërsa një çikrik special e ka tërhequr ndërtesën përpara.
I gjithë aksioni ka zgjatur 4 orë, ka filluar në orën 8 dhe ka përfunduar në orën 12, ndërsa ka kushtuar mbi një milion franga.
Një operacion i ngjashëm por me përmasa më të mëdha, qe realizuar para një viti në Oerlikon të Cyrihut. Me atë rast qe zhvendosur 60 metra më larg një ndërtesë e vjetër, e rëndë 6200 tonë.