Edon Zhegrova është njëri nga lojtarët më në formë në Evropë.
Ylli kosovar është bërë njëri prej lojtarëve më të mirë në futbollin francez dhe paraqitjet e tij brilante u kanë rënë në sy klubeve italiane.
Mediat italiane raportojnë se janë katër klube italiane që e pëlqejnë ylli e Kosovës, transmeton albinfo.ch.
Në ditët e fundit, Juventusi duket të jetë klubi më i interesuar për 25-vjeçarin, por prapa nuk mbetet as Roma, e cila e do në kryeqytet futbollistin e Lillet. Ndërkohë, Milani është duke e vëzhguar qe një kohë të gjatë ish-futbollistin e Baselit, i cili edhe vetë e ka shfaqur publikisht simpatinë që e ka për “Kuqezinjtë”.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë që Zhegrova të përfundojë në “San Siro” është trajneri Paulo Fonseca, pasi të dy kanë punuar bashkë në Francë. Përfaqësuesin kosovar e pëlqen edhe Napoli, pasi trajneri Antonio Konte ka simpati të madhe për lojën e tij.
Zhegrova do ta ketë mundësinë t’i tregojë vlerat e tij pikërisht sonte në Itali, kur të përballet me Bolognën në Ligën e Kampionëve. Edoni i ka shënuar 8 gola në këtë sezon në të gjitha garat, prej tyre 4 në Ligën e Kampionëve dhe 4 në Ligue 1.
Vlera e kartonit të futbollistit më të mirë shqiptar të momentit sipas “Transfermarkt” është 25 milionë euro. Atë e pëlqejnë edhe klubet angleze dhe ato gjermane, ndërsa ëndërr e fëmijërisë së Zhegrovës është Barcelona.