87 ekipe me gjithsej 348 anëtarë janë përgatitur për të shkuar në shtëpitë e qytetarëve në Kosovë, te të infektuarit me COVID-19, për t’iu dhënë mundësi të votojnë.
Krahas anëtarëve të KQZ-së, çdo ekip ka një mjek dhe një polic.
Në çdo kuti votimi, krahas materialeve zgjedhore, kishte maska, doreza dhe dezinfektues.
Krahas ekipeve për COVID, në Kosovë u përgatitën ekipe që do të mundësojnë votimin e të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe të burgosurve.
Këto ekipe u praktikuan edhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.
Në zgjedhjet lokale që po mbahen sot të drejtë vote kanë 1.885.448 votues.
Ndërsa, numri i qendrave të votimit në gjithë Republikën e Kosovës është 883, me gjithsej 2.477 vendvotime.
Ndërkaq, numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15.532 votues.
Edhe në Maqedoninë e Veriut një komision zgjedhor special u vu në dispozicion të të sëmurëve me COVID-19. 7.921 persona të infektuar në të gjithë vendin do të ushtrojnë sot të drejtën e votës.