Skip to content

Zgjatet mandati i trupave gjermane në Kosovë

Bundestagu gjerman ka vendosur për vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it në Kosovë

Për zgjatjen e misionin kanë votuar të gjitha partitë parlamentare, me përjashtim të së majtës.

Në arsyetimin e Qeverisë gjermane thuhet se gjendja në Kosovë në parim është e qetë, por “potenciali i shkallëzimit mbetet i lartë”, në veçanti në veri të Kosovës me shumicë serbe.

Mbështetësit e vazhdimit të mandatit theksuan se qëndrimi ushtarëve gjermanë në Kosovë ka për synim garantimin e sigurisë në këtë vend. Qëllimi përfundimtar i bashkësisë ndërkombëtare është që të zvogëlohet numri i ushtarëve të huaj në Kosovë, por aktualisht kjo nuk është e mundshme.

Mandati i ri parashikon që në Kosovë të angazhohen më së shumti 1850 ushtarë gjermanë.

Aktualisht në kuadër të KFOR-t veprojnë 700 ushtarë gjermanë të stacionuar kryesisht në Prizren dhe Prishtinë, ndërkaq, lejohet mundësia edhe të 1000 ushtarëve tjerë në rast nevoje. Kostoja e vazhdimit të këtij misioni llogaritet rreth 68 milionë euro në vit dhe misioni në Kosovë është i dyti më i madhi i ushtrisë gjermane jashtë vendit, pas Afganistanit

Që nga viti 1999 Bundestagu gjerman ka miratuar 13 herë zgjatjen e mandatit të Bundesverit në kuadër të KFOR-it në Kosovë.