Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli thuhet se qysh nga fillimi e ka përcjellë me shqetësim humbjen e kontakteve të pilotit shqiptaro-amerikan, James Berisha dhe po angazhohet me përkushtim për gjetjen dhe vendosjen e kontakteve me të.
Këshilltari i lartë politik i zëvendëskryeministrit të parë, Arbër Geci ka bërë të dityr se Pacolli është duke shfrytëzuar të gjithë kontaktet e tij me atë pjesë të botës, respektivisht me Sudanin dhe Asmara, Eritrea nga ku është paraqitur për herë të fundit, James Berisha, me 5 gusht.
Gjithashtu bëhet e ditur se janë duke u mbajtur kontakte të vazhdueshme edhe me njerëz të afërt të Berishës.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dy ditë më parë ka thënë se është duke punuar intensivisht për evidentimin e saktë të vendndodhjes së pilotit shqiptaro-amerikan, James Berisha, i cili nuk i është lajmëruar familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij më shumë se një javë.