Kompani të ndryshme kosovare pa problem po zhvillojnë eksportin dhe importin me Serbinë dhe me vende të Bashkimit Evropian.
Kjo u mundësua që nga arritja e marrëveshjes për njohjen e vulave doganore të Kosovës nga ana e Serbisë.
Megjithatë, sipas autoriteteve kompetente, fuqia eksportuese e Kosovës mbetet në nivel të ulët karshi importit nga Serbia.
Që nga 16 shtatori, kur Qeveria e Kosovës hoqi masat reciproke ndaj produkteve serbe, kompania “Elkos” ka importuar produkte nga Serbia, dhe njëherësh ka shfrytëzuar territorin e këtij shteti për transport të mallrave nga vendet e Bashkimit Evropian.
Ramiz Kelmendi, udhëheqës i kësaj ndërmarrjeje, thotë se marrëveshja për njohjen e vulave doganore është duke u zbatuar pa problem. Ai tregon se tashmë ka importuar mall nga Serbia. “Një pjesë e madhe e këtyre produkteve janë të kompanive evropiane dhe amerikane, që i kanë privatizuar fabrikat në Serbi, siç është ‘Coca-Cola’ , ‘Heiniken’, shumë produkte të tjera, që janë të kompanive ndërkombëtare, por që prodhohen në Serbi, për shkak të shtrirjes së këtyre kompanive në rajonin e Ballkanit”, ka deklaruar Kelmendi, raporton Radio Evropa e Lirë.
Që nga viti 2008 Serbia kishte bllokuar produktet kosovare, për shkak të ndërrimit të vulave nga të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës. Mallrat me këtë vulë nuk janë lejuar as transit të kalojnë në territorin e këtij shteti.
Ndërkaq, Zeqirja Mustafa, menaxher i kompanisë “Fluidi” nga Gjilani, thotë se që nga mesi i shtatorit e deri më tani, në territorin e Serbisë, përkatësisht në Luginën e Preshevës, kanë dërguar tre kamionë me produktet. “Probleme nuk kemi pasur nga ana e serbëve. Janë pranuar të gjitha dokumentet dhe gjithçka ka qenë në rregull. Kërkesa ka qenë aq pasi produktet tona shiten vetëm në territorin e Luginës së Preshevës. Produktet tona nuk i konsumojnë serbët, arsyeja e vetme e moskonsumit, është se janë produkte shqiptare”, bënë të ditur Mustafa.
Zyrtarë të Doganave të Kosovës pranojnë se që nga heqja e masave të reciprocitetit, që Prishtina zyrtare ua kishte vendosur produkteve serbe, është shënuar bilanc tregtar i pafavorshëm për kompanitë kosovare.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë se që nga heqja e këtyre masave e deri më tani, importi nga Serbia ka arritur vlerën afër 40 milionë euro, ndërkaq eksporti ka arritur afër 400 mijë euro.
Qeveria e Kosovës, më 20 korrik, vendosi masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që u ndërprenë më 16 shtator