“Femen”, një lëvizje radikale feministe është “importuar” në Gjermani dhe në vende tjera të Evropës nga Ukraina. Ajo, ndryshe nga organizatat feministe klasike, protestën kundër diskrimimimit të femrës e zhvillon përmes zbulimit të gjoksit të femrave protestuese. Po këtë e kishte bërë për rreth tri vite edhe Zana Ramadani, e cila rrjedh nga një familje konservative shqiptare e Maqedonisë. Për të ndjekur synimet e saj politike ajo qysh heret ishte larguar nga familja. Fillimisht ka qenë kryetare e forumit rinor të CDU-së në një qytet gjerman (Wilmenstorf) dhe pastaj filloi me “Femen”…
Tek arsyeton në gazetën Die Welt tërheqjen e saj nga kjo lëvizje, Zana thotë se ajo që i duhet një lëvizjeje të tillë është “aksioni” dhe jo “action” (duke aluduar te kjo e dyta në filmat action). Aksioni është ai që nevojitet nëse dëshirojmë të përmirësojmë botën dhe jo “action”, shkruan “Die Welt”.
Ithtare të “action” ajo i quan vajzat që ikin nga monotonia e shtëpisë prindore dhe duan pak argëtim. Ato i vënë vetes edhe pseudonime në mënyrë që, nëse diçka nuk shkon mbarë, të tërhiqen sikur nuk ka ndodhur gjë, transmeton albinfo.ch. Shkurt, thotë Zana, “ato vinin për të treguar gjinjtë e tyre në publik dhe kur kuptonin se angazhimi në `Femen`kërkon punë, iknin saora.
Sepse aksioni në fakt është ai që vjen pas një debati, kërkon planifikim, disiplinë dhe marrëveshje”, thekson Zana Ramadani e cila ka përmbyllur një etapë të angazhimit të saj politik.


