Xherdan Shaqiri është kryefjala në mediat ndërkombëtare. Dy gola të shënuar ndaj Manchester United, e kanë bërë hero atë në Angli.
Liverpooli fitoi 3:1, ku Shaqiri hyri nga banka rezervë teksa rezultati ishte 1:1, dhe me dy gola të bukur riktheu Liverpoolin në vendin e parë, përcjell albinfo.ch.
“Trajneri Jurgen Klopp më ka motivuar duke më thënë që të përfshihesha menjëherë në ndeshje. Isha përgatitur shumë mirë. E ndoqa ndeshjen me vëmendje, duke parë edhe hapësirat”, është shprehur futbollisti shqiptar.
“Jam munduar që të kem ndikim në lojë. Shënova dy gola dhe fituam ndeshjen. Ishte një ditë e përkryer për ne”, shtoi tutje Shaqiri.
Xherdan Shaqiri ka shënuar pesë gola dhe ka bërë dy asistime në këtë sezon për Liverpoolin.
Ai u transferua për vetëm 15 milionë euro nga Stoke City.