Mesfushori Blerim Xhemaili ka folur edhe për arsyet se pse vendosi të kalojë te skuadra kanadeze, Montreal Impact, për një aventurë të re në karrierën e tij, shkruan albinfo.ch.
Ai ka thënë se do të luajë në Kampionatin Amerikan për dy-tri vjet dhe këtë ofertë nuk ka mundur ta refuzojë. “E bëra këtë zgjedhje sepse dua të provoj një eksperiencë të re. Mendoj se kishte ardhur momenti i duhur pasi unë dhe familja ime kërkojmë diçka të re. Ishte një ofertë shumë e rëndësishme nga MLS për një kontratë 2 apo 3 vjeçare dhe në këtë kampionat luhet një futboll që mua më pëlqen”, është shprehur mesfushori nga Tetova.
Ai ka falënderuar tifozët e Bolognas për përkrahjen e madhe që i kanë dhënë. “Falënderoj tifozët sepse jam ndier shumë mirë. Nuk e mendoja se do të kisha zhvilluar një sezon të tillë dhe bashkë me Napolin kanë qenë eksperiencat e mija më të bukura në botën e futbollit. Kam ndier gjithmonë mbështetje dhe kur largohesh në këtë mënyrë është përherë bukur”, nënvizoi Xhemaili.
Përfaqësuesi i Zvicrës shënoi tetë gola këtë sezon, duke qenë ndër mesfushorët më të mirë në Kampionatin italian.