Futbollistja e Kombëtares së Zvicrës, me rrënjë nga Kosova, Riola Xhemaili, ka qenë e ftuar në emisionin sportiv Sportpanorama në televizionin zviceran SRF. Moderatori Sascha Ruefer e pyeti 22-vjeçaren se si e përjeton faktin që ndonjëherë përballet me komente negative si nga Kosova, ashtu edhe nga Zvicra.
Nga Kosova, shpesh dëgjohet: “Duhej të luante për ne”, ndërsa në Zvicër disa thonë: “Ajo s’është Müller, Meier apo Bichsel – duhet të luajë për Kosovën.”
Për Xhemailin, këto komente nuk janë të lehta për t’u përballuar.
“Gjithçka që ka të bëjë me kombësinë time, nuk mund ta ndryshoj,” – tha ajo, shkruan albinfo.ch.
Riola Xhemaili, e lindur në Zvicër nga prindër me prejardhje nga Kosova, është një nga figurat e reja më premtuese të futbollit zviceran. Historia e saj pasqyron sfidën që përjetojnë shumë të rinj me rrënjë kosovare në diasporë – mes dy identiteteve që i duan njësoj.