Një nga arenat më të njohura të basketbollit në botë, United Center në Chicago, është shndërruar në një skenë të vërtetë shqiptare, ku kënga legjendare “Xhamadani vija-vija” dhe vallet tradicionale kanë jehuar para një ndeshjeje të NBA-së, transmeton albinfo.ch.
Para zhvillimit të ndeshjes së Chicago Bulls, atmosfera në sallë mori një kthesë të veçantë, pasi një ansambël nga komuniteti shqiptar në Illinois, i ftuar nga vetë Chicago Bulls, realizoi një performancë mbresëlënëse me muzikë dhe valle tradicionale shqiptare.
Valltarët të veshur me kostume kombëtare sollën energji dhe krenari në parket, ndërsa tingujt e muzikës tradicionale pushtuan arenën, duke tërhequr vëmendjen e publikut amerikan, transmeton tutje albinfo.ch.
Sipas pamjeve që tashmë po qarkullojnë në rrjetet sociale, shumë të pranishëm janë mahnitur nga ritmi dhe gjallëria e valleve shqiptare, duke e bërë këtë moment një nga më të veçantët e këtij sezoni në NBA.
Kjo mbrëmje e dedikuar komunitetit shqiptar në Chicago u konsiderua si një moment krenarie, duke dëshmuar edhe një herë se kultura shqiptare nuk njeh kufij, nga Shqipëria e Kosova deri në zemër të Shteteve të Bashkuara.
Momenti tashmë po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke promovuar traditat shqiptare në një nga skenat më të mëdha sportive në botë./Albinfo.ch
