Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka marrë vendim që të filloj procedurat për shpalljen e futbollistëve shqiptarë, Taulant Xhaka e Lorik Cana, qytetarë nderi të Mitrovicës. Ky titull, sipas Bahtirit, bëhet për sakrificën e treguar në mbrojtjen e simboleve kombëtare.
Po ashtu sipas kryetarit të komunës, titulli “qytetarë nderi” bëhet për atdhedashurinë e pashoqe në ruajtjen e vlerave identitare kombëtare dhe për guximin e pashembullt në dëshmimin e patriotizmit.
“Futbollistët Xhaka e Cana janë krenaria e kombit tonë. Ndonëse u gjendën në një ambient tejet armiqësor, ku turmat kërcënonin shqiptarët me heqje të kokave dhe ku ishin të rrezikuar seriozisht, ata për asnjë moment nuk u hamendën për të mbrojtur simbolet dhe figurat më të shquara të Kombit që i përkasin” thotë kryetari Bahtiri.
Sjellja e këtillë e tyre, sipas tij, është për admirim. “Prandaj edhe vendosa që të filloj procedurat për dedikimin e titullit “Qytetar Nderi I Mitrovicës”, për Taulant Xhakën dhe Lorik Canën” thotë Bahtiri.
Kryetari Bahtiri, siç thuhet, është i bindur se qytetarët e Mitrovicës do ndjehen tepër krenarë që këta dy futbollistë të shkëlqyer, por para së gjitha patriotë të vërtetë, do të shpallen qytetarë nderi të Mitrovicës.
“Futbollistët Xhaka e Cana, do të njoftohen zyrtarisht për këtë nismë dhe në koordinim me ta, natyrisht pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara me ligj, do të caktohet dita kur në mënyrë solemne do të ju dorëzohet titulli”, thuhet në një njoftim lëshuar nga Komuna e Mitrovicës, nënshkruar nga kryetari Bahtiri.
Ndryshe, vendimi i Bahtirit, vjen pas ndeshjes Serbi-Shqipëri që u luajt në Beograd me 14 tetor. Ndeshja u ndërpre në pjesën e parë, ndërsa në një ambient dhune u përfshinë edhe futbollistët e kombëtares Shqiptare.