Një zhvillim pozitiv dhe i rëndësishëm për Kosovën është shënuar së fundmi në arenën ndërkombëtare, pasi kompania ajrore Wizz Air ka korrigjuar emërtimin e destinacionit të kryeqytetit të Kosovës, transmeton albinfo.ch.
Referuar njoftimit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, pas reagimit të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik, Wizz Air e ka ndryshuar përkatësinë e destinacionit nga forma “Priština” në “Prishtina” ose “Pristina”, duke e paraqitur tashmë në mënyrë korrekte.
Ambasada e cilësoi këtë si një shembull të qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive mund të sjellin rezultate konkrete.
“Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Po ashtu, Ambasada e Kosovës në Gjermani u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse hasin institucione apo kompani gjermane ku Kosova ose qytetet e saj paraqiten gabimisht, të kontaktojnë ambasadën për të adresuar këto pasaktësi.
Qytetarët mund të raportojnë raste të tilla përmes emailit: embassy.germany@rks-gov.net, duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse./Albinfo.ch