Pas vrasjes së terapeutes sociale javën e kaluar në Gjenevë, reaksionet lidhur me rrethanat e ndodhjes së krimit janë të mëdha si në opinion ashtu dhe në politikë. Kështu në qarqet e ndryshme të politikës së Zvicrës ka shpërthyer një debat i gjerë që kërkon ashpërsim të rregullave në burgje në qasje me të burgosurit që janë dëshmuar me potencial dhune.
Ministrja në qeverinë e kantonit Vaud, de Quattro ka kërkuar vendosjen e rregullave më të ashpra në burgjet e Romandisë, gjegjësisht Zvcrës Frankofone. Sipas aj, këto rregulla janë më të buta në krahasim me ato që vlejnë në Zvicrën Gjermane.
Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës së psikiatërve në Zvicrën Frankofone kërkon që psikiatrët që punojnë me raste të rënda të përcjellin më tepër informacione te autoritetet e burgut dhe që sekreti mjekësor të zbatohet në mënyrë më pak rigoroze.
Ndërsa kryetari i Konferencës së drejtorëve të policisë së Zvicrës Hans-Jürg Käser është shprehur në të mirë të një regjistri ku duhet të përfshihen personat që kanë kryer vepra penale të dhunshme.