Përderisa për Vetëvendosjen këto vota mund të nënkuptojnë 2 apo 3 deputetë më shumë, për koalicionin Nisma, AKR dhe PD votat e diasporës, sipas vëzhguesve, kanë efektin e kundërt, pasi që besohet se me përfshirjen e tyre në rezultatin final mund të ndikohet në çështjen e kalimit të pragut zgjedhor për këtë koalicion që aktualisht thotë se i ka fituar gjashtë mandate në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Të dielën përfundoi rinumërimi i votave nga 1407 vendvotime, por shpallja e rezultatit dhe certifikimi i tij ka mbetur i varur nga ankesat e subjekteve politike.
Kështu, një ankesë e Lëvizjes Vetëvendosje në adresë në Gjykatën Supreme, ka bërë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të detyrohet të presë vendimin e kësaj Gjykate, para se të bëjë certifikimin e rezultatit përfundimtar.
Gjykata Supreme ka afat 72 orë për marrjen e vendimit, ndonëse ky vendim mund të shpallet edhe më herët.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Gjykata Supreme vlerësimin dhe marrjen e vendimit për rinumërimin e 392 pakove me fletëvotime të ardhura nga diaspora. Këto fletëvotime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë ardhur më 12 nëntor.
Në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se “aktgjykimet e Gjykatës Supreme do të duhej të shërbenin si bazë e mjaftueshme që KQZ të bëjë edhe numërimin e këtyre 392 pakove, por pas refuzimit për t’i numëruar dhe refuzimit nga ana e PZAP-së për të urdhëruar KQZ-në, çështjen e kemi adresuar në Gjykatën Supreme”.
“E drejta e votës, si e drejtë kushtetuese dhe universale, duhet të mbrohet dhe të respektohet. Ndërsa çdo votë e ardhur në adresë të KQZ-së dhe e nisur nga votues të regjistruar dhe brenda afatit, duhet të numërohet dhe të përfshihet në rezultatin përfundimtar”, thuhet në njoftim, shkruan Rel, përcjell albinfo.ch.
https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/10156336432662000